Informata rreth projektit të përgjigjes së organeve të drejtësisë ndaj krimeve të mundshme në zgjedhjet 2013

Thursday 5 September, 2013

Gjatë kësaj periudhe IKD, Instituti i Kosovës për Drejtësi, do të zbatojë projektin “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të organeve të drejtësisë për proces zgjedhor të lirë, drejtë dhe demokratik”, i cili ka për qëllim që të forcojë kapacitet dhe rrisë bashkëpunimin me organet e drejtësisë në luftimin e efektiv të çfarëdo lloj krimi që pengon procesin e lirë, të drejtë dhe të besueshëm zgjedhor në Kosovë. Ky projekt mbështetet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Ky projekt udhëhiqet nga bashkë-autorët raporteve analitike të vetme vendore të cilat kanë trajtuar përgjigjen e organeve të drejtësisë ndaj krimeve të zgjedhjeve. IKD gjatë këtij projekti do të mbështes organet e ndjekjes në trajnim dhe ofrim të këshillave rreth ndjekjes efikase të krimeve të zgjedhjeve, sensibilizimin e opinionit rreth krimeve të zgjedhjeve, mbikëqyrjen e përgjigjes së organeve të drejtësisë sa i përket krimeve të zgjedhjeve, si dhe përpilimin e raporteve të cilat japin rekomandime konkrete për të përmirësuar funksionimin e organeve të drejtësisë në të ardhmen.

Gjatë vitit 2012, IKD ka publikuar raportin “Krimi i organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”, i cili ndër tjera kishte rekomanduar që Prokurori i Shtetit të konsultohej ngushtë me Komisionin Qendror Zgjedhor dhe akterët tjerë në mënyrë që të ngritën njohuritë e prokurorëve rreth formave të manipulimit të zgjedhjeve, dhe të ketë fokus në parandalimin e manipulimit të zgjedhjeve në të ardhmen. Ky raport i IKD-së ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në trajtim më serioz të çështjes së përgjigjes së organeve të drejtësisë ndaj krimeve të zgjedhjeve. Në gusht 2013, Kryeprokurori i Shtetit kishte ftuar IKD-në në diskutimet e përbashkëta me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor, si dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Prashtresa. Si rezultat i diskutimeve ka ardhur edhe deri te nënshkrimi i një memorandumi të bashkëpunimit, në të cilin IKD kishte dhënë kontribut të çmuar, duke sugjeruar futjen e Procedurave Standarde të Veprimit si obligim për PK-në dhe PSH-në.

IKD ka nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi me Prokurorin e Shtetit, duke avancuar kështu bashkëpunimin me këtë institucion. Projekti pritet të kontribuojë drejt një bashkëpunimi ndër-institucional (KPK-KGJK-PK-KQZ-PZAP) më profesional dhe të qëndrueshëm, zhvillimin e Procedurave Standarde të Veprimit, rritjen e efikasitetit të organeve të drejtësisë për të luftuar veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor, dhe për të rritur njohuritë e palëve kryesore mbi rrezikun dhe pasojat e angazhimit në manipulimin e zgjedhjeve.
IKD-ja do të ofroj ekspertizë përmes trajnimeve për të luftuar në mënyrën më efektive të gjitha krimet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor dhe ndërkohë për të mësuar më shumë në lidhje me ndryshimet e fundit në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

Në kuadër të projektit do të mbahen takime/ tryeza në gjashtë qendra kryesore të Kosovës me hisedarë nga prokuroritë, gjykatat, zyrtarët e përfshirë në organizimin e zgjedhjeve, përfaqësues të partive politike, drejtorë të shkollave, shoqëri civile dhe media.

Ndërkohë në web faqe të IKD-së do të gjenden të gjitha informatat në lidhje me fillimin e hetimeve, gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që lidhen me rastet e manipulimit të votave. Portali do të publikojë të dhënat e fundit që lidhen me aktivitetet e organeve të drejtësisë dhe efikasitetin e e rasteve të cilat hetohen/ procedohen. Në web faqe gjithashtu do të ketë informacione relevante për rrjedhën e proceseve gjyqësore të cilat do të publikohen nga IKD-ja.

Informatat në këtë faqe do të përditësohen në vazhdimësi të projektit.