IKD REAGON NDAJ AMNISTISË SË SHKELJEVE TË GJYKATËSVE DHE PROKURORËVE PËRMES DISPOZITAVE TË REJA LIGJORE

Friday 21 August, 2015

20111216

Prishtinë, 21 gusht 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj amnistisë së gjykatësve dhe prokurorëve, që janë subjekt i procedurave hetimore dhe disiplinore të paraqitura në Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD). Kjo amnisti është mundësuar përmes plotësim ndryshimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (LKGJK) dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (LKPK), respektivisht neneve 15 dhe 16 të tyre.

Në të dy ligjet, ndryshimet kanë përcaktuar se “procedura disiplinore ndaj gjykatësve dhe prokurorëve nuk do të fillohet dhe zbatohet në Komisionin Disiplinor të KGJK dhe KPK, pasi që të kaloj afati një (1) vjeçar nga njoftimi i pranuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, për shkeljen e supozuar dhe dy (2) vite nga dita shkeljes së supozuar”.

IKD vlerëson se plotësimet e këtyre dispozitave ligjore, prodhojnë pasoja negative të pariparueshme dhe si të tilla  do duhej të titulloheshin si “Amnisti e përgjithshme për gjykatësit dhe prokurorët, të cilët supozohet se kanë kryer sjellje të pahijshme apo kanë vepruar në kundërshtim me kodet e etikës dhe sjelljes profesionale për gjykatës dhe prokurorë”.  Në LKGJK dhe LKPK, nuk janë paraparë dispozita kalimtare lidhur me lëndët që janë aktualisht në punë në (ZPD). Duke pasur parasysh se ZPD aktualisht është duke trajtuar më qindra lëndë, të cilat janë pranuar në punë vite me parë, dhe për të cilat nuk ka paraqitur raport para Komisioneve të KGJK dhe KPK, të njëjtat nuk do të mund të trajtohen nga këto dy komisione në rastet kur ka kaluar afati prej një viti kur është pranuar njoftimi në ZPD apo kur kanë kaluar dy vite nga dita e shkeljes së supozuar.  Të gjitha këto raste do të mbesin të pa trajtuara dhe me ketë edhe nuk do të ketë pasoja ndaj gjykatësve apo prokurorëve ndaj të cilëve është parashtruar inicimi i procedurave disiplinore.

IKD vlerëson se përmes ndryshimit të këtyre ligjeve, janë shkaktuar dëme të pariparueshme që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në dëmtimin e integritetit të bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale dhe vetë integritetin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Kultura e pandëshkueshmërisë ndaj gjykatësve dhe prokurorëve për sjelljet e tyre potencialisht të pahijshme tashmë është garantuar përfundimisht në dispozitat e këtyre dy ligjeve bazike për sistemin gjyqësor dhe prokurorialBesimi i ulët në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, pavarësisht faktit se këto muaj ka shënuar rënien më të madhe, përmes kësaj amnistie të shkelësve nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve, do të ndikojë përfundimisht në çrrënjosjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Po ashtu, me plotësimin e këtyre ligjeve, shqetësuese mbeten afatet e shkurta të përcaktuara me këto ndryshime duke kufizuar hetimin ndaj shkeljeve të supozuara nga gjykatësit dhe prokurorët në vetëm një vit, nga njoftimi i pranuar në ZPD.  Ky kufizim do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në kualitetin e punës së Zyrës së Prokurorit Disiplinor, duke marr për bazë numrin e madh të lëndëve të pranuara dhe të trajtuara nga kjo zyrë.  Kjo do të vështirësoj funksionimin e ZPD-së dhe do t’ia pamundësoj ushtrimin e mandatit në bazë të ligjit për të funksionuar në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale.

IKD shpreh shqetësim se si rezultat i këtyre dispozitave, në mungesë të resurseve të mjaftueshme njerëzore në ZPD, në raport me numrin e madh të parashtresave të paraqitura ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, në praktikë do të vjen deri tek drejtësia selektive apo perceptimi se ZPD zbaton drejtësi selektive ndaj gjykatësve apo prokurorëve të caktuar. Kjo për shkak se resurset e mangëta dhe kufizimi i afatit kohor për trajtimin e rasteve do të pamundësojë që të njëjtit të trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit, e drejtë kjo fundamentale e garantuar me Kushtetutë.

IKD i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë që urgjentisht të filloj me plotësim ndryshimin të këtyre dy ligjeve bazike për funksionimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial për të përmirësuar administrimin e drejtësisë në rastet disiplinore kur subjekt mund të jenë gjykatësit apo prokurorët. Përmes ndryshimeve duhet të adresohet çështja e afateve kohore të trajtimit të rasteve nga ZPD, Komisionet Disiplinore dhe Këshillat, të cilat duhet të përshtaten me kontekstin dhe specifikat e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Kufizimi i përcaktuar prej një viti, duhet të rishikohet dhe ky afat të zgjatet në së paku dy vite, duke paraparë po ashtu ngritjen e resurseve njerëzore në ZPD me pozita shtesë të personelit të kualifikuar, me përvojë dhe ekspertize në trajtimin e këtyre lëndëve. Duke pasur për bazë resurset aktuale të ZPD-së dhe numrin enorm të shkeljeve të supozuara nga ana e gjykatësve dhe prokurorëve, IKD rekomandon që “procedura disiplinore ndaj gjykatësve dhe prokurorëve nuk do të fillohet dhe zbatohet në Komisionin Disiplinor të KGJK dhe KPK, pasi që të kaloj afati dy (2) vjeçar nga njoftimi i pranuar në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, për shkeljen e supozuar dhe gjashtë (6) vite nga dita shkeljes së supozuar”. Sa i përket afatit kohor për trajtimin e rasteve të dorëzuara nga ZPD, IKD rekomandon që Komisioni Disiplinor të përfundojë rastin si shkallë të parë brenda afatit prej gjashtë (6) muaj. Ndërsa, në rastet e ankesave, KGJK dhe KPK rekomandohet që trajtimin e këtyre rasteve ta përfundoj brenda afatit kohor prej tre (3) muajve.

IKD i bën thirrje publike ZPD-së që të përgatisë një raport të detajuar me të gjitha informatat që përfshijnë numrin e rasteve të cilat do të amnistohen ndaj gjykatësve dhe prokurorëve, si rezultat i këtyre dispozitave të reja ligjore, në mënyrë që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen me vullnetin e shprehur të ligjvënësve, për të amnistuar shkelësit.