IKD reagon kundër mbylljes pa arsye të seancave gjyqësore

IKD reagon kundër mbylljes pa arsye të seancave gjyqësore

IKD reagon kundër mbylljes pa arsye të seancave gjyqësore

Prishtinë, 30 nëntor 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj tashmë praktikës së mbylljes së seancave gjyqësore përmes të cilave ndalohet, kufizohet dhe censurohet liria e shprehjes, liria e mediave, shoqërisë civile dhe publikut për tu informuar dhe për të informuar rreth rasteve më të mëdha gjyqësore që përbëjnë interes të publikut.

IKD vlerëson se është e papranueshme qasja e gjykatësve të Gjykatës Themelore në Prishtinë për mbylljen e tërësishme të rastit “Mekaj” dhe mbylljen e njërit ndër rastet më të mëdha “Stenta”, të cilat përbëjnë interes të publikut.

IKD kërkon që të respektohen obligimet kushtetuese dhe ligjore për mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore për të gjitha palët në procedurë, duke përfshirë edhe informimin e publikut dhe medias në kuadër të kësaj kornize ligjore. Megjithatë, IKD kundërshton arsyetimet e paqëndrueshme dhe të pabazuara në kushtetutë dhe ligje për të mbyllur proceset gjyqësore për publikun dhe median për shkak të tekeve të cilitdo gjykatës.

Për IKD-në arsyetimet për mungesë të kushteve të sallave janë joserioze dhe të papranueshme. IKD kërkon sigurimin e kushteve ligjore për ofrimin e një procesi të pavarur, të drejtë, të paanshëm, profesional dhe të qasshëm për publikun dhe median. Kjo është mënyra e vetme për të garantuar të gjithë këto kërkesa kushtetuese, ligjore të bazuara në praktikat dhe standardet ndërkombëtare për të ofruar një gjykim të drejtë, në të cilin besimi i publikut ka rëndësi të jashtëzakonshme. Legjitimi i drejtësisë mund të ndodhë vetëm atëherë kur publiku i beson gjykimeve, të cilat ndahen nga gjykatësit, në procese gjyqësore transparente, transparencë kjo, e cila po mungon në këto raste.

IKD bën të qartë se monitorimi dhe publikimi i proceseve gjyqësore nga mediat dhe publiku është e drejtë e patjetërsueshme e cila hyn në kuadër të së drejtës së lirisë së mendimit dhe të shprehurit – përfshirë këtu edhe “lirinë që të pranon dhe bart informata dhe ide për çfarëdo mediumi dhe pa marrë parasysh kufijtë” (neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948), e zbatueshme në Republikën e Kosovës sipas nenit 22 të Kushtetutës. Kjo e drejtë është njëra nga të drejtat themelore politike dhe civile, e cila  garantohet pothuajse me të gjitha instrumentet e të drejtave të njeriut, si Konventa Evropiane për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe Konventën ndërkombëtare për të drejtat civile dhe politike.

IKD shpreh zhgënjim me këtë qasje dhe mendësi të disa gjykatësve, të cilët do duhej të ishin shembull i zbatimit të dispozitave ligjore për të rritur transparencën dhe jo që të njëjtit të tentojnë të ndalojnë, kufizojnë dhe censurojnë lirinë e medias për të informuar publikun për proceset më të rëndësishme gjyqësore.

Këto veprime të këtyre gjykatësve për të mbyllur këto seanca gjyqësore për publikun dhe median paraqesin një nonsens të llojit të vet, që në këtë kohë, kur kryesisht mbi institucionet e drejtësisë, adresohen kritikat më të ashpra nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies.

IKD rikujton se qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të mbesin të izoluar dhe pa një perspektivë evropiane falë këtij mentaliteti, i cili tenton të pengojë dhe censurojë median dhe shoqërinë civile, përmes të cilave sigurohet transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike, në këtë rast edhe transparenca për proceset më të rëndësishme gjyqësore.

IKD sugjeron gjykatësit e këtyre rasteve dhe ju bën thirrje që të rishqyrtojnë vendimet e tyre për t’i korrigjuar ato dhe për t’i lejuar qasjen publikut dhe medias për aq sa lejon korniza ligjore.