IKD: Pushteti ekzekutiv ndërhyn në mënyrë flagrante në pavarësinë e pushtetit gjyqësor

IKD: Pushteti ekzekutiv ndërhyn në mënyrë flagrante në pavarësinë e pushtetit gjyqësor

IKD: Pushteti ekzekutiv ndërhyn në mënyrë flagrante në pavarësinë e pushtetit gjyqësor

Prishtinë, 3 shkurt 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim rreth lojërave dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor. Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar “Programin e Reformave në Ekonomi”, e cila ndërlidhet me zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim të miratuar më 22 janar 2016. Lajmi për miratimin e këtij programi është bërë publik në “Koha Ditore”, ndërsa si dokument nuk gjendet askund në uebfaqen e Qeverisë.

Ndër masat për zhvillim ekonomik në kuadër të këtij programi reformash hyn edhe rritja e efikasitetit të sistemit gjyqësor. Ky program ka adresuar një sërë sfidash për sistemin gjyqësor, duke përfshi ndryshimet ligjore, zvoglimin e ngarkesës për lëndët e kundërvajtjes, synimi për zero lëndë të pazgjidhura, përmirësimi i normave të zgjidhjes, duke optimizuar sistemin për menaxhimin e lëndëve dhe inicimi i zbatimit të projektit për sistemin e menaxhimit të rasteve.

IKD vlerëson se në tërësi gjithë kjo pako reformash dhe masave të parapara në këtë dokument bie në kundështim të plotë me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në pavarësinë e pushtetit gjyqësor

IKD i rikujton për satën herë pushtetit ekzekutiv se politikat, ndryshimet dhe plotësimet ligjore për të reformuar sistemin gjyqësor, janë kompetencë ekskluzive e Ministrisë së Drejtësisë si sponzorues i pakos së ligjeve të gjyqësorit dhe Kuvendit të Kosovës si miratures i këtyre ligjeve. Ndërsa, politikat lidhur me administrimin dhe menaxhimin e sistemit gjyqësor janë kompetencë ekskluzive e vetë Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Në këtë rast, përmes këtij dokumenti të miratuar ekzekutivi cenohet rëndë pavarësia e pushtetit gjyqësor.

Ndikimet e vazhdueshme të pushtetit ekzekutiv përmes ndërhyrjeve buxhetore po vazhdojnë të dëshmohen edhe përmes këtij programi. Është e pashpjegueshme se si në kuadër të këtyre politikave, parashihet angazhimi i 50 këshilltarëve ligjor, të cilët do të paguhen nga 4.000 Euro në muaj për dy vite. Kjo politikë tejkalon çdo logjikë normale të bazuar në parime kushtetuese dhe ligjore, duke pasur parasysh rolin dhe rëndësinë e bartësve të funksioneve gjyqësore – gjykatësve, të cilët nuk mund të paguhen më pak se sa këshilltarët e tyre ligjor. Bazuar në këtë politikë të ekzekutivit, këshilltarët ligjor të gjykatësve do të paguhen sa katërfishi i pagës së gjykatësve.

Kjo politikë shkel dispozitat themelore të Ligjit të KGJK-së, për funksionimin e tij, të përcaktuara në nenin 4, përfshi paragrafin 1.8 i cili parasheh që “KGJK bën organizimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të duhur të gjykatave”, paragrafin 1.9 që “KGJK bën sigurimin e vlerësimeve të rregullta periodike mbi ngarkesësn e lëndëve të gjykatave ashtu që të sigurohet funksionimi efikas i gjykatave”, paragrafin 1.11 që “KGJK bën përgatitjen, dërgimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit të gjyqësorit për të siguruar funksionimin efikas të gjykatës dhe llogaritjen e përdorimit të burimeve fiskale” dhe paragrafin 1.14, që “KGJK bën përcaktimin e numrit të gjykatësve, në secilën gjykatë, degë dhe mbikëqyrjen e administratorëve në gjykata”.

Dispozitat e shkelura të Ligjit të KGJK-së, dëshmojnë se respektimi i tyre, nënkupton që pushteti ekzekutiv të ndaj buxhet të mjaftueshëm për gjyqësorin, ndërsa të njëjtin është kompetent për ta administruar dhe menaxhuar  ekskluzivisht KGJK.

IKD vlerëson se pushteti ekzekutiv vazhdimisht ka dëshmuar mungesë të vullnetit politik për të mbështetur nevojat e pushtetit gjyqësor për të qenë i pavarur, i paanshëm dhe profesional. Prandaj, kjo politikë përmes së cilës bëhet ndërhyrje flagrante në politikat e brendshme të gjyqësorit, duke i ndërtuar strukturën e resuresve, menaxhimin e tyre dhe caktimin e pagave është e papranueshme për një vend që synon të jetë demokratik dhe me ndarje të pushteteve, ku qartë përcaktohet kontrolli dhe balanci në mes tyre.

Dëshmi shtesë për mungesë të vullnetit të ekzekutivit për pushtetin gjyqësor, është Strategjia Kombëtare për Reduktimin e Lëndëve të Vjetra e miratuar nga KGJK, e cila asnjëherë nuk është mbështetur financiarisht për të ndërtuar resurse të mjaftueshme për tu zbatuar në praktikë.

Kjo nuk është hera e parë që pushteti ekzekutiv ndërhyn drejtpërdrejtë në pushtetin gjyqësor përmes buxhetit. IKD ka reaguar publikisht më 25 janar 2016 ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të 15 janarit 2016 për të kompensuar shtesat dhe stimuluar financiarisht 74 gjykatësit e Departamenteve të Krimeve të Rënda për vitin 2016. E njëjta logjikë ndërhyrëse është ndërtuar përmes aprovimit të shtesave të përvitshme për prokurorët e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Kjo praktikë e lojës me të ardhura krijon pasiguri juridike për gjykatësit dhe prokurorët, duke ndërtuar standarde, përmes së cilave cenohet rëndë pavarësia e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, dhe përmes kësaj forme bëhet nënshtrimi i pushtetit gjyqësor karshi ekzekutivit duke parashtruar kërkesa dhe duke aprovuar ato në mënyrë të kundërligjshme.

IKD ka konsultuar akterët relevantë dhe vetë bartësit e pushtetit gjyqësor dhe të njëjtit kanë konfirmuar se nuk janë konsultuar në lidhje me këto politika të sistemuara në kuadër të këtij programi për reforma në ekonomi.

IKD vlerëson se pikërisht për shkak të mungesës bashkëpunimit dhe koordinimit dhe vullnetit për të përfshirë gjithë akterët relevant në këto procese të rëndësishme, pushteti ekzekutiv ka shkelur parimet bazë të ndarjes së pushteteve, duke ndërhyrë në pavarësinë e pushtetit gjyqësor.