IKD publikon analizën ligjore: Dosja e manipuluar e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi

IKD publikon analizën ligjore: Dosja e manipuluar e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi

IKD publikon analizën ligjore: Dosja e manipuluar e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi

Përmbledhje ekzekutive

Dyshimet e ngritura në publik lidhur me falsifikimin e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit (KSH), Aleksandër Lumezi, në bazë të legjislacionit të aplikueshëm në Kosovë, hyn në kuadër të rasteve të profilit të lartë. Sipas këtij legjislacioni, rastet e profilit të lartë duhet të trajtohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), që në rastin konkret nuk ka ndodhur. PSRK gjatë tërë kohës sa janë zhvilluar procedurat në këtë rast ka qëndruar në heshtje të plotë.Një qasje e tillë në publik vë në dyshim pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e kësaj prokurorie. Ky rast i hetuar dhe mbyllur për 21 ditë në mënyrë të kundërligjshme, duhet të hetohet nga PSRK. Ndryshe, ky rast është udhëhequr nga prokurori Kujtim Munishi, njëherësh Shef i Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

I gjithë procesi i hetimeve parapenale të prokurorit Kujtim Munishi është i kundërligjshëm. Prokurori Munishi ka filluar të privilegjohet prej ardhjes së Aleksandër Lumezit në krye të Prokurorisësë Shtetit (PSH). Munishi, nga prokurori i shkallës së parë, është avancuar në shkallë të tretë me detyra specifike dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta të Kryeprokurorit Lumezi në kuadër të Zyrës së KSH.  Gjithë kjo ngritje është bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi Munishi ishte avancuar në kohën kur ishte vetëm me mandat fillestar.

Edhe pse kjo lëndë sipas kompetencave ligjore është dashur të hetohet nga PSRK-ja, Prokurori Kujtim Munishi ka vendosur ta hetojë dosjen e shefit të tij, Kryeprokurorit Lumezi. Por, çdo veprim i ndërmarrë nga Munishi është në kundërshtim me ligjin. Ai ka autorizuar hetuesit e policisë që në procedurë parapenale të grumbullojnë informata, të marrin në pyetje dëshmitarë brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, si dhe të sekuestrojnë dosje pa vendim të gjykatës dhe gjithë kjo për një vepër penale, e cila sipas ligjit të aplikueshëm në Kosovë kishte kohë që ka arritur afatin e parashkrimit të ndjekjes penale. Kjo ndalohet me ligj të aplikueshëm në Kosovë, por Munishi ka bërë hetime parapenale për vepër të parashkruar, për të cilin veprim vetë ai duhet të bëhet pjesë e procedurave hetimore disiplinore.

Prokurori  Kujtim Munishi, në rastin konkret asnjëherë nuk ka zhvilluar procedurë penale lidhur me dyshimet për falsifikim të dosjes së provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi , respektivisht nuk ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 434, e cila si të dyshuar të denoncuar publikisht njihte Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi. Pra, prokurori Munishi, kundërligjshëm ka hetuar një vepër penale të parashkruar, për çka vetë duhet të bëhet subjekt i hetimit, ndërsa ka amnistuar në tërësi çdo mundësi që ta hetojë shefin e tij, Kryeprokurorin Lumezi. Ky i fundit, ishte denoncuar publikisht si i dyshuar për falsifikimin e provimit të jurisprudencës, prandaj prokurori Munishi vërehet qartë se ka bërë amnistinë e shefit, për arsye të cilat vetëm ai mund t’i dijë, por të cilat bien në kundërshtim me ligjin.

Në hetimin parapenal, prokurori Munishi, apriori ka amnistuar dyshimet e ngritura se Aleksandër Lumezi e ka falsifikuar provimin e jurisprudencës. Tërë hetimin e ka bazuar përmes marrjes së dëshmive të dëshmitarëve në mënyrë të kundërligjshme, tërë hetimi i tij nuk ka pasur asnjë të dyshuar, dhe ka sekuestruar dosje pa urdhër të gjykatës dhe nuk e ka bërë asnjë ekspertizë grafologjike, si dhe ekspertizë tjetër të dokumenteve që  do të vërtetonin dyshimet për falsifikim në dokumentet e manipuluara: Mbyllja e rastit është bazuar në tërësi në dëshmitë e ish-zyrtarëve serb të caktuar në pozita në kohën e masave të dhunshme në vitet e 90-ta, pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës, kurse dëshmia e avokatit Betim Shala nuk vërteton asgjë sepse është një supozim, i cili në procedurë penale nuk konsiderohet provë..

Prokurori Munishi nuk ka bërë administrimin e provave të ofruara nga dëshmitari Adil Fetahu. Ai ka qenë anëtar i Komisionit Konsultativ Juridik, i cili e ka intervistuar Aleksandër Lumezin në vitin 2000 kur kishte konkurruar për gjykatës dhe prokuror. Në procesverbal shkruan se Aleksandër Lumezi nuk e ka pasur provimin e jurisprudencës. Një tjetër procesverbal i këtij Komisioni, nxjerr në pah se në vitin 2000, ish-Shefi i UNMIK-ut Bernard Kushner, kishte dekretuar 31 kandidatë jashtë propozimeve të Komisionit, kur edhe ishin dekretuar kandidatët pa provim të jurisprudencës, pra që nuk e kishin të dhënë provimin në fjalë. Asnjëra prej këtyre provave që janë procesverbale të vitit 2000 nuk janë administruar nga Prokuroria.

Për më tepër, mbetet e paqartë se si prokurori Munishi është ngutur për mbyllur rastin pa sigurimin e dosjeve të UNMIK-ut dhe OSBE-së, të cilat do të mund të qartësonin nëse Aleksandër Lumezi ka pasur  provim të jurisprudencës në vitin 2000, si dhe nëse Aleksandër Lumezi është njëri nga 31 kandidatët e dekretuar  pa provim të jurisprudencës apo nëse e ka pasur atë në atë kohë kritike. Kjo në praktikën gjyqësore është e paparë ndonjëherë, duke lënë hapësirë për të ngritur dyshime se qëllimi në këtë rast ka qenë mbyllja e shpejtë e rastit dhe jo zbardhja e së vërtetës.

Në këtë proces hetimor parapenal Munishi nuk ka pasur asnjë person të dyshuar, por vetëm dëshmitarë.Në Kosovë në cilësinë e dëshmitarit janë marrë në pyetje: Sahit Shala, Radislav Dimitrijevic, Aleksandër Lumezi, Riza Smaka, Adil Fetahu, Enver Hasani, Betim Shala dhe Zymer Krasniqi.

Ndërsa, pa pasur vendim për fillim të hetimeve dhe kundërshtim me Ligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar ka marrë prova dhe dëshmitarë jashtë rrugës zyrtare ligjore. Në këtë drejtim, ka marrë si provë një akt të noterizuar të Djordje Aksic, i cili figuron si ish-anëtar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës në vitin 1991 dhe si ish-Sekretar Krahinor në kohën e masave të dhunshme në Kosovë. Ndërsa, ka marrë në pyetje Miladin Kostic, gjithashtu ish-anëtar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës në vitin 1991.

Asnjë prej këtyre dëshmive nuk vërteton dhënien e provimit të jurisprudencës, përderisa në tërësi dosja është e manipuluar me llak të bardhë, mbi dosjen e Zymer Krasniqit dhe nuk ka një ekspertizë grafologjike (dhe ekspertizë tjetër relevante) për të.

Dyshimet e ngritura në publik se Aleksandër Lumezi e të falsifikuar provimin e jurisprudencës dhe proces i hetimeve parapenale të zhvilluara nga prokurori Kujtim Munishi është përshkuar me paragjykime dhe ndërhyrje nga politika, qeveria dhe vetë sistemi prokurorial. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë disa deklarata, duke i paragjykuar hetimet e prokurorisë, se ato, do të përfundojnë për një kohë të shkurtër. Kjo përbën ndërhyrje të politikës dhe të ekzekutivit të vendit mbi sistemin prokurorial dhe hetimet që ishin duke u zhvilluar në këtë rast.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka paragjykuar në tërësi çdo dyshim të ngritur rreth dosjes së falsifikuar të provimit të jurisprudencës së Aleksandër Lumezit, duke kërkuar tërheqjen e akuzave dhe shkrimeve për këtë temë. Njëjtë i kanë dalë në mbrojtje eprorit të tyre edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës (SHPK), e cila ka paragjykuar në tërësi pretendimet e ngritura rreth provimit të jurisprudencës së Lumezit.

Ky rast thuhet se është monitoruar nga EULEX-i, i cili ka deklaruar se prokurorja e EULEX-it, Eëa Korpi , e cila ka monitoruar rastin,  është shprehur e kënaqur me hetimin e pavarur dhe të paanshëm. Por, Misioni i EULEX-it, nuk deklarohet nëse ky është edhe qëndrim zyrtar i këtij misioni, apo vetëm qëndrim dhe opinion i prokurores Korpi. Përvec kësaj, shumica e dëshmitarëve të intervistuar kanë deklaruar se gjatë marrjes në pyetje nuk kanë pasur përkthim në gjuhën angleze dhe se këtë rol kohë pas kohe e kishte luajtur vetë prokurori Munishi.

Hetimi i deritashëm në procedurë penale rezulton të jetë i pavlefshëm, nul. Në këtë drejtim, me qëllim të zbardhjes të së vërtetës dhe zhvillimit të një procesi hetimor të pavarur, të paanshëm, të drejtë dhe profesional, rekomandohet që në pajtim me obligimet kushtetuese dhe ligjore këto dyshime të ngritura në publik të hetohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRKS). Të gjitha kushtet ligjore për hetimin e këtij rasti nga EULEX-i janë të plotësuara dhe rekomandohet që hetimi të zhvillohet përmes krijimit të një ekipi të prokurorëve të EULEX-it me prokurorë amerikanë, britanikë dhe gjermanë.

IKD rekomandon që PSRK-ja të kërkojë ekspertizë te të gjitha dokumenteve të manipuluara me llak dhe të tjera që dyshohet se janë falsifikuar. KPK-ja deri në zbardhjen e këtij rasti, në pajtim me ligjin e aplikueshëm, duhet të marrë masa lidhur me suspendimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, ndërsa PSRK-ja dhe Zyra e Prokurorit Disiplinor duhet të analizojnë aktvendimin për hedhjen e kallëzimit penal nga prokurori Munishi, dhe të hetojnë nëse gjatë trajtimit të këtij rasti është zbatuar ligji dhe procedurat sipas legjislacionit në fuqi.

 

Për më tepër shkarko raportin 02. Analiza ligjore e rastit Lumezi 21.11.2017