IKD organizoi Konferencën “Përfaqësimi ligjor falas në çështjet penale dhe zbatimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”

Thursday 14 September, 2017

Tryeza 14.09.2017

Prishtinë, 14 shtator 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me programin “Kërko Drejtësi”, i cili realizohet nga National Center for State Courts (NCSC), i financuar nga Departamenti i Shtetit të ShBA-së, Njësiti për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, të enjten në Prishtinë, ka organizuar Konferencën “Përfaqësimi ligjor falas në çështjet penale dhe zbatimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Gjatë konferencës IKD ka publikuar raportin “Ndihma Juridike Falas në çështjet penale dhe zbatimi i standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykatat e Kosovës”, i cili përfshinë të gjeturat e monitorimit të Departamenteve të Përgjithshme – Divizionet Penale – të Gjykatave Themelore në Prishtinë, Prizren dhe Pejë, nga 1 shkurti deri më 30 maj 2017, kornizën ligjore vendore, standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë si dhe rekomandimet konkrete.

Ehat Miftaraj hulumtues i lartë në IKD, tha se nga 1 shkurti deri më 31 maj 2017, hulumtuesit e IKD-së kanë monitoruar gjithsej 524 seanca gjyqësore  në Divizionin Penal të Departamenteve të Përgjithshme në Gjykatat Themelore në Prishtinë, Pejë dhe Prizren. Në këtë monitorim janë përfshirë 667 të pandehur, ku 457 (68.51%) prej tyre nuk kishin asnjë përfaqësim ligjor, ndërsa 163 (31.49%) të pandehur kishin përfaqësim ligjor. “Statistikat dëshmojnë se në lëndët e departamenteve të krimeve të përgjithshme, shumica e të pandehurve nuk kanë pasur përfaqësim ligjor. Në 163 lëndë kur të pandehurit kanë pasur përfaqësim ligjor, vetëm 20% kanë marrë ndihmë juridike, ndërsa 80% e këtyre të pandehurve kanë paguar për mbrojtjen e tyre. Në praktikë, ndihma juridike falas në rastet e krimeve të përgjithshme ofrohet sipas detyrës zyrtare vetëm kur plotësohen kriteret e nenit 57 (d.m.th. seancat paraprake të paraburgimit), por shumë rrallë ofrohen si ndihmë juridike falas me diskrecion (Neni 58). Si rezultat, mostra jonë tregon se vetëm 32 prej 667 të pandehurve në lëndët e departamenteve të krimeve të përgjithshme kanë marrë mbrojtës ligjor me shpenzime publike”.

Miftaraj tha se ndihma juridike falas e sponsorizuar nga shteti është një e drejtë themelore e personit të akuzuar për një vepër penale që mund të përfshijë rrezik të jetës së tij ose të lirisë personale. “Megjithatë, kjo e drejtë nuk është e pakufishme dhe i nënshtrohet kufizimeve të bazuara në kriteret e përcaktuara tashmë nga KEDNJ dhe shtrihet në një sërë vendimesh të GJEDNJ-së të cilat përfshijnë: 1) mjetet financiare, dhe 2) “interesin e drejtësisë” që është përcaktuar me tutje si një vlerësim i: a) seriozitetit të veprës dhe ashpërsisë së dënimit të mundshëm, b) kompleksitetit të çështjes; dhe c) gjendjes sociale dhe personale të të pandehurit”. Sipas tij, pa marrë parasysh nëse gjykatat zbatojnë në fund të fundit kriteret më gjithëpërfshirëse dhe liberale të përcaktuara në nenin 4 të Ligjit për NJF, ose kërkesat më pak strikte, por megjithatë është substanciale siç është përcaktuar edhe nga KEDNJ se, shteti ka një detyrim të pashmangshëm dhe të menjëhershëm për të llogaritur, për të ndarë, dhe për të ofruar fonde qeveritare në Agjencinë e NJF në mënyrë që gjykatat të mund t’u japin ndihmë ligjore si duhet të pandehurve të varfër në një mënyrë të pajtueshme me kornizën ligjore të Kosovës. “Dështimi i shtetit për të siguruar burime të tilla për të pandehurit e varfër të akuzuar për një krim nën tetë (8) vjet burgim jo vetëm që shkel nenin 58 të KPPRK dhe nenin 4 të Ligjit për NJF, por gjithashtu bie në kundërshtim me nenin 30 (5) të Kushtetutës dhe nenin 6 (3) (c) të KEDNJ-së që zbatohen drejtpërdrejt në Kosovë. Në lidhje me identifikimin e fondeve ekzistuese, IKD gjithashtu arrin në përfundim se një shumë e konsiderueshme e tarifave ligjore “sipas detyrës zyrtare” të parimbursuara (nga të pandehurit e dënuar) paraqesin jo vetëm dështimin e gjykatave, por një burim potencial për lehtësimin e barrës financiare të Shtetit”, tha Miftaraj.

John Furnari drejtor i Programit “Kërko Drejtësi”, tha se është nder për NCSC-në dhe IKD-në të shoqërohet me këtë raport të mrekullueshëm dhe të hulumtuar mirë si pjesë e programit “Kërko Drejtësi” D4J të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan INL. “Në Kosovë Kodi i Procedurës Penale ka nenet 57 dhe 58 që përpiqen ta mbulojnë këtë problem, por nuk po e bëjnë këtë në mënyrë adekuate. Jam shumë i emocionuar që tani kemi një angazhim nga OAK dhe e di se ka shumë anëtarë këtu të pranishëm nga OAK që janë zgjuar për detyrimin e saj kushtetues”. Furnari tha se përfaqësimi pro bono është një zgjidhje për këtë problem, por nuk është zgjidhja e vetme, duhet të ketë financim nga shteti për të zgjidhur këtë problem. “Me këtë dua t’ju falënderoj të gjithëve për prezencën këtu dhe për të ndarë këtë raport dhe për të diskutuar disa nga rekomandimet që janë të përfshira në të”.

Afërdita Bytyçi Kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se për gjykatësit përfaqësimi i palëve në procedurë lehtësohet kur palët përfaqësohen me avokat. Madje sipas saj edhe ajo si juriste, nesër në një proces gjyqësor do të kishte nevojë për avokat edhe nëse vepra penale është deri në një vit burgim. “Patjetër duhet me pas avokat sepse nuk di me u mbrojt, ndërsa mos të flasim për palët laike që nuk e din as ku është hyrja e as dalja e lëre më çka po flitet apo çka po marohet në atë proces. E përkrahi këtë punë të IKD-së sepse vërtetë duhet bërë diçka dhe duhet t’i sigurohet palëve përfaqësim profesional ligjor me avokat”. Ajo theksoi se ka mungesë të buxhetit dhe se kjo është arsyeja pse shumë procese gjyqësore në departamentin e përgjithshëm përfundojnë pa avokat.

Teuta Krusha, shefe e Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prizren, tha se gjetjet e IKD-së paraqesin realitetin me të cilin ballafaqohen çdo ditë gjykatësit. “Në gjykatë e caktojmë avokatin sipas detyrës zyrtare për hir të drejtësisë por këto raste janë shumë të rralla, janë raste simbolike”. Krusha ka thënë se gjykimet do të jenë më cilësore nëse përfaqësohen nga mbrojtja profesionale. “Kemi raste kur në këto raste paraqitën edhe femrat, sidomos nenat ushqyese të cilat janë totalisht pa mbrojte juridike edhe aty janë probleme që ku ndoshta gjykata duhet të kujdeset sipas detyrës zyrtare mirëpo edhe na kemi kufizime buxhetore, kemi kufizime tjera në procedurë kur nuk është mbrojtja obligative prandaj duhet edhe na përmbahemi nga këto, kështu që ky projekt është i mirë, uroj që të punohet edhe ma tutje”.

Ramadan Gashi, shef i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në Kosovë, tha se ndihma juridike falas është kategori kushtetuese. “Ndihmë juridike falas duhet t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasje efektive në drejtësi”. Ai tha se në praktikë ky agjencion nuk po arrin ta përmbush obligimin kushtetues për të ofruar mbrojtje juridike falas për shkak të mungesës së përkrahjes së këtij institucioni. “Realisht, ne me ligj jemi të obliguar të ofrojmë ndihmë juridike falas në të gjitha fushat, lëmitë penale, civile, administrative dhe kundërvajtëse, por për shkak të mungesës të buxhetit, ne nuk ofrojmë ndihmë juridike penale në të gjitha fazat. Ne ofrojmë në penale deri në momentin kur paraqitet nevoja për përfaqësim”.

Avokati Behar Ejupi, përfaqësues i Odës së Avokatëve të Kosovës, tha se neni 166 i Kodit të Procedurës Penale është shumë i qartë sa i përket çështjes së angazhimit, ku një nder të drejtat themelore të personit të arrestuar është edhe angazhimi i avokatit, që nënkupton që në momentin kur ai njoftohet për heqjen e lirisë së tij, t’i ipet e drejta për avokat. “Por, paragrafi 2 është shumë i qartë ku thotë se nëse nuk ka mundësi që të angazhoj avokat atëherë i ofrohet falas”. Ejupi tha se OAK ka mbi 800 anëtarë, të anëtarësuar, të cilët obligohen nga një rast ta përfaqësojnë falas.

Baki Gimolli përfaqësues i Institucionit të Avokatit të Popullit, tha se Avokati i Popullit në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe trajtimit të personave të pandehur në procedurë penale. “E drejta për të pasur avokat mbrojtës dhe e drejta të caktimin e mbrojtësit me shpenzime publike nuk është e drejtë fakultative por është e drejtë obligative, me vetë faktin se kjo derivon nga shumë instrumente ndërkombëtare dhe nga kushtetuta e Republikës së Kosovës”.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të sistemit gjyqësor, sistemit prokurorial,  Kryetar dhe gjykatës të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Gjykatës Supreme të Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës, Kryeprokuror, Prokurorë, përfaqësues nga Avokati i Popullit, Agjencioni për Ndihmë Juridike Falas, NCSC, shoqëria civile dhe mediat.

Programi “Kërko drejtësi” ka për qëllim fuqizimin e kërkesave të qytetarëve për drejtësi në Kosovë. Ky program implementohet nga NCSC dhe mbështet nga Departamenti i Shtetit Amerikës/INL.

Për më tepër gjeni më poshtë rekomandimet konkrete dhe klikoni në vazhdim për të shkarkuar raportin shqip (KLI RAPORT ALB), anglisht (KLI RAPORT ENG) dhe serbisht (KLI RAPORT SRB):

  • Shteti duhet të ndajë buxhet të mjaftueshëm për të mbuluar shërbimet e ndihmës juridike falas për të pandehurit e varfër.
  • Gjykatat duhet të fillojnë menjëherë të rikthejnë shpenzimet gjyqësore nga të pandehurit e dënuar, të cilët kanë marrë ndihmë juridike të financuar nga shteti pa pasur nevojë financiare për këto shërbime.
  • Institucionet dhe organet në Sistemin Juridik të Kosovës duke përfshirë Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK), Agjencinë e Ndihmës Juridike Falas, bashkësinë më të gjerë të avokatëve dhe qeverinë, duhet të bëjnë përpjekje për të ofruar shërbime juridike falas për ata qytetarë që nuk mund ta përballojnë atë.
  • Gjyqtarët, prokurorët dhe policia duhet të zbatojnë nenin 4 të Ligjit për NJF dhe/ose të interpretojnë nenin 58 të KPPRP të Kosovës në përputhje me jurisprudencën e GjEDNj-së kur marrin vendime lidhur me “interesin e drejtësisë” që ndikojnë në të drejtat e të pandehurit sipas KEDNJ 6.3(c).
  • Kuvendi duhet të ndryshojë nenin 58 të KPPRP-së në mënyrë që të qartësohet parimi i “interesit të drejtësisë” në mënyrë që të përcaktojë në mënyrë eksplicite kriteret e përcaktuara nga GJEDNJ: a) serioziteti i veprës dhe ashpërsia e dënimit të mundshëm, b) kompleksiteti i çështjes; dhe c) gjendja sociale dhe personale e të pandehurit.
  • OAK, për shkak të detyrimit të saj kushtetues për të ofruar NJF, duhet të demonstrojë lidership duke avokuar për fondet e Shtetit për NJF-në, por gjithashtu të zgjerojë obligimet e tyre ekzistuese të OAK për punë pro bono (pa pagesë) nëpërmjet krijimit të mekanizmave (p.sh. Klinikat Juridike ose Qendra Probono) që u mundësojnë anëtarëve të OAK-së t’u ofrojnë qytetarëve të varfër përfaqësim falas në lëndët penale.
  • Gjykata Supreme e Kosovës duhet të japë një opinion ligjor mbi zbatimin e praktikave të Gjykatës Evropiane lidhur me ofrimin e përfaqësimit ligjor të të pandehurve në të gjitha rastet penale.
  • Gjykata e Apelit, të unifikoj praktikat gjyqësore në lidhje me politikat ndëshkuese.
  • Të miratohet korniza ligjore adekuate lidhur me shpenzimet gjyqësore dhe paushallin gjyqësor.
  • Departamentet e Përgjithshme të zbatojnë nenin 450 të Kodit të Procedurës Penale në lidhje me çështjet penale.