Korrupsioni në Kosovë 6: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit

Korrupsioni në Kosovë 6: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit

Shkarko Dokumentin:
Korrupsioni në Kosovë 6: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit

Prishtinë, 20 nëntor 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, publikon raportin “Korrupsioni në Kosovë 6: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”. Ky raport analizon zbatimin e Planit të Veprimit për rastet e korrupsionit prej hyrjes në fuqi më 4 nëntor 2013 deri më 30 qershor 2015, me fokus në aktivitetet e prokurorive në luftën kundër korrupsionit në tre mujorin prill, maj, qershor 2015.

 Si rezultat i monitorimit dhe vlerësimit të jashtëm të zbatimit të këtij Plani të Veprimi, IKD konsideron se lufta kundër korrupsionit edhe pse e shpallur si prioritet absolut nga sistemi prokurorial, nuk po arrin të dëshmohet me rezultate konkrete në praktikë, sidomos në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Institucionet, agjencionet që e zbatojnë ligjin dhe qytetarë të shumtë, vazhdojnë të sfidojnë Prokuroritë e Republikës së Kosovës me lëndë të shumta të korrupsionit, të cilat i parashtrojnë qoftë përmes ofrimit të informatave të shumta apo ushtrimit të kallëzimeve penale. Këto informata dhe kallëzime penale kanë mbetur të patrajtuara me dekada nga Prokuroritë, duke lejuar në shumë raste arritjen e afatit të parashkrimit të ndjekjes së kryesve të këtyre  veprave penale të korrupsionit,  rrjedhimisht duke amnistuar kryesit e dyshuar për vepra penale korruptive. Mos veprimi i Prokurorit të Shtetit në këto raste të korrupsionit ka ndikuar në mos zbulimin e së vërtetës, rrjedhimisht mos ndëshkimin apo amnistimin e kryesve të veprave penale të korrupsionit, që ndikon edhe në mos kthimin e pasurisë së paligjshme të fituar përmes korrupsionit. Ky mosveprim i institucioneve të shtetit, të thirrura dhe të autorizuara me ligj për të ndjekur penalisht kryesit e veprave penale dhe për të kërkuar drejtësi, po ndikon në humbjen e  besimit të qytetarëve dhe publikut në sistemin e drejtësisë, përkatësisht në vullnetin dhe përkushtimin e tyre në luftimin e korrupsionit nga këto institucione. Gjetjet e monitorimit të IKD tregojnë se me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit më 4 nëntor 2013, prokuroritë  kanë pasur të regjistruara në punë raste ndaj 1682 personave. Prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit deri më 30 qershor 2015, prokuroritë kanë pranuar në punë raste të reja ndaj 1441 personave.  Përderisa nga hyrja në fuqi e Planit të Veprimit deri më datën 30 qershor 2015, janë zgjidhur  raste ndaj 1598 personave. Prej tyre ndaj 383 personave i kanë hudhur  kallëzimet penale, ndaj 435 personave i kanë pushuar hetimet, ndërsa ndaj 780 personave kanë ngritur aktakuza. Në fund të kësaj periudhe raportuese, më 30 qershor 2015, prokuroritë kanë të pazgjidhura raste ndaj 1706 personave. Krahasuar më gjendjen fillestare të rasteve të pazgjidhura, rezulton se trendi i rasteve të pazgjidhura vetëm sa ka shënuar rritje. IKD vlerëson se këto rezultate janë dëshmi se shpallja e lëndëve të korrupsionit për tu luftuar me prioritet absolut përmes planeve të veprimit mbetet vetëm synim i pazbatuar në praktikë. Gjetjet e IKD-së edhe në këtë raport periodik të IKD-së, i gjashti me radhë, dëshmojnë mungesën e vullnetit dhe përkushtimit për të zbatuar obligimet e përcaktuara me Plan të Veprimit, përmes të cilit do të mundësohej zgjidhja e rasteve të vjetra të korrupsionit.

IKD ka vendosur indikatorë përmes të cilëve, ka bërë matjen e zbatimit të Planit të Veprimit për lëndët e vjetra të regjistruara deri më 4 nëntor 2013. Zgjidhja e këtyre rasteve ka qenë prioritet absolut prej hyrjes në fuqi të Planit të Veprimit, por në praktikë kjo nuk është dëshmuar.  Bazuar në indikatorin e IKD-së për matjen e zbatimit të Planit të Veprimit, rezulton se prokuroritë kanë zgjidhur raste ndaj 937 personave apo kanë arritur të zbatojnë 57% të Planin e Veprimit. Sikurse në periudhat paraprake për të cilat kishte raportuar IKD, edhe për këtë periudhë raportuese PTh në Prishtinë vazhdon të jetë prokuroria me efikasitetin më të dobët në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit. Pason PSRK, e cila ka arritur të zgjidhë mbi gjysmën e rasteve të vjetra, ndërsa prokuroritë tjera kanë përqindje më të madhe të zgjidhjen e rasteve të vjetra.

 Gjatë kësaj periudhe raportuese, Kryeprokurorët e PTH-ve dhe PSRK-së nuk kanë përmbushur një varg të obligimeve, të përcaktuara në Planin e Veprimit. Raportimi tek Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit nuk është përmbushur, gjithashtu nuk është përgatitur asnjë raport i veçantë për rastet e parashkruara të korrupsionit. Në të njëjtën periudhë, as obligimet e Koordinatores Nacionale nuk janë përmbushur karrshi Planit të Veprimit. Arsyet për këtë neglizhencë, bien mbi garën për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe vëmendjen që ka marr ky proces, si dhe muajt e verës, në të cilët bartësit e funksioneve prokuroriale nuk kanë qenë të përkushtuar në zbatimin e obligimeve ligjore dhe vendimeve të Këshillit Prokurorial.
Aspekti i llogaridhënies për dështimin e prokurorive në përmbushjen e obligimeve të Planit të Veprimit, mbetet vetëm çështje diskutimi, por në praktikë ende nuk ka asnjë zyrtar, i cili është mbajtur përgjegjës nga Kryeprokurorët apo nga Këshilli Prokurorial. Kjo kulturë e pandëshkueshmërisë për dështimet e sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit, ka ndërtuar një sistem imuniteti për shkelësit e ligjit, të cilët po vazhdojnë me shkelje të ligjit pa pasoja.

Mekanizmi i vetëm funksional, i cili ka dhënë shenja se është duke bërë përpjekje për të zbatuar ligjin në rastet e shkeljeve ligjore nga ana prokurorëve, mbetet Zyra e Prokurorit Disiplinor, e cila sipas detyrës zyrtare ka iniciuar një numër të madh të rasteve disiplinore, bazuar në gjetjet e raporteve të IKD-së. Një numër i madh i këtyre rasteve tashmë gjenden në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Raporti përmban analizën e detajuar për performancën e secilës prokurori dhe rekomandimet konkrete për të shtuar efikasitetin dhe efektivitetin e zbatimit të Planit të Veprimit për trajtimin e rasteve të korrupsionit nga prokuroritë.