IKD mban trajnim për stafin e saj, organizatat e shoqërisë civile dhe studentët e juridikut për monitorimin e sistemit të drejtësisë

Friday 27 January, 2017

Balline

Prishtinë, 27 janar 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me mbështetjen e Departamentit Shtetëror të Shteteve të Bashkuara përmes projektit “Kërko Drejtësi”, të premten, në zyrat e IKD-së, ka mbajtur trajnim për monitorimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Trajnimi është mbajtur për stafin e praktikantëve monitorues të IKD-së, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe studentë të juridikut.

Ekspertët juridikë dhe hulumtuesit e lartë  të IKD-së me përvojë në fushën e drejtësisë, kanë mbajtur trajnim teorik dhe praktik për monitoruesit e sistemit të drejtësisë. Gjatë trajnimit janë prezantuar tri manuale të monitorimit dhe raportimit nga gjykatat: 1) “Monitorimi i drejtësisë penale në Kosovë, lidhur me mbrojtjen efektive të të pandehurve subjekt të procedurave penale në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatave Themelore”, 2) “Monitorimi i drejtësisë administrative” dhe 3) “Raportimi nga gjykata”.

1) Manuali “Monitorimi i drejtësisë penale në Kosovë, lidhur me mbrojtjen efektive të të pandehurve subjekt të procedurave penale në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatave Themelore” ka trajtuar zbatimin në praktikë të obligimeve që dalin nga ligji praktikat dhe standardet ndërkombëtare të aplikueshme në Kosovë. Manuali është ndarë në katër (4) pjesë: 1) Korniza ligjore në Kosovë që rregullon këtë fushë: 2) Praktika dhe Standardet ndërkombëtare; 3) Monitorimi i seancave gjyqësore; dhe 4) Raportimi.

2) Manuali “Monitorimi i drejtësisë administrative” ka trajtuar të drejtën e qytetarëve të Kosovës në shfrytëzimin e mjeteve juridike efektive. Drejtësia administrative është një fushë me rëndësi prekën të drejtat dhe interesat e qytetarëve të Kosovës si rezultat i veprimeve/mosveprimeve të institucioneve publike që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e tyre dhe në realizimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe aktet ndërkombëtare të aplikueshme në Republikën e Kosovës. Pa një sistem efikas dhe efektiv të drejtësisë administrative shtetasit e Kosovës mund të vuajnë nga veprimi joligjor dhe arbitrar i qeverisë në mungesë të mjeteve juridike efektive. Edhe ky manual është ndarë në katër (4) pjesë: 1) Korniza ligjore në Kosovë që rregullon këtë fushë: 2) Praktika dhe Standardet ndërkombëtare; 3) Monitorimi i seancave gjyqësore; dhe 4) Raportimi.

3) Manuali i fundit, për të cilin janë trajnuar pjesëmarrësit, ka qenë “Raportimi nga gjykata”, i cili ka trajtuar aspektet e monitorimit dhe përgatitjes së raporteve nga seancat gjyqësore për qëllime të studimit të rasteve apo fenomeneve apo për raportime gazetareske.

Të gjitha manualet dhe fokusi i trajnimit në këto tri fusha ka qenë i bazuar në aspektet kushtetuese, ligjore si dhe praktikat dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Manualet kanë trajtuar aspektet e monitorimit në gjykatë, duke filluar prej qasjes në gjykatë, dokumentacion, sjelljes sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale deri te raportimi për publikun nga gjykata.

Ky trajnim dhe përgatitja e manualit janë mundësuar përmes mbështetjes nga Departamenti Shtetëror i Shteteve të Bashkuara përmes Projektit-“Kërko Drejtësi”. Mendimet, të gjeturat dhe konkluzionet apo rekomandimet të shprehura në këtë dokument i përkasin autorit dhe domosdoshmërisht nuk reflektojnë qëndrimet e Departamentit Shtetëror të Shteteve të Bashkuara apo të Qendrës Kombëtare për Gjykatat Shtetërore.

Në vazhdim disa foto nga trajnimi.

 

Flamurat

Foto 1Foto 2