Hetimet parapenale dhe vendimi i kundërligjshëm i prokurorit Kujtim Munishi për dosjen e shefit të tij, Aleksandër Lumezi

Thursday 16 November, 2017

flamurat-per-web

Përmbledhje ekzekutive

Sipas Aktvendimit me nr. PPN-202/17, i datës, 14 nëntor 2017, mbi hudhjen e kallëzimit penal, lidhur me dyshimet mbi manipulimin e dosjes së provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, trajtimi i kësaj çështje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është bërë në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm, respektivisht në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës Kosovës.

Prokurori Munishi në kundërshtim me ligjin ka kërkuar nga Policia e Kosovës që në procedurë parapenale të grumbulloj informata, të marr në pyetje dëshmitar dhe të sekuestroj dosje lidhur me një vepër penale, e cila sipas ligjit kishte arritur afatin e parashkrimit të ndjekjes penale.

Në bazë të Kodit Penal, në çdo fazë të procedurës penale, gjykata dhe organet e tjera të ndjekjes penale janë të detyruara sipas detyrës zyrtare të kujdesen, ta marrin parasysh dhe ta zbatojnë parashkrimin. Së këndejmi parashkrimi shprehet sipas fuqisë së ligjit (ex lege), në të gjitha rastet kur skadojnë afatet e parashkrimit.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, Policia detyrohet të veprojë vetëm sipas kërkesave të ligjshme të prokurorit.  Policia e Kosovës në këtë rast ka vepruar sipas autorizimeve të kundërligjshme të Prokurorit Munishi.

Në rastin konkret Prokuroria asnjëherë nuk ka zhvilluar procedurë penale lidhur me dyshimet për falsifikim të dosjes së provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, respektivisht nuk ka ndërmarr veprime hetimore lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 434 nga Kryeprokurori Lumezi, siç ishte ngritur në denoncimin publik.

Prokurori Munishi i monitoruar nga prokurori i EULEX-it, edhe përkundër faktit se ka zhvilluar procedurë parapenale, në të njëjtën kohë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale ka marr në pyetje dëshmitarë nga Kosova dhe Serbia, ka sekuestruar dosje në Arkivin e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë. Sekuestrimi sipas aktvendimit për hudhjen e kallëzimit penal është bërë pa urdhër të gjykatës. Sekuestrimi është kryer në mënyrë të kundërligjshme, duke bërë që provat e mbledhura të jenë të paparanueshme në cilëndo fazë të mëvonshnë në gjykatë.

Prokurori Munishi, ende pa filluar procedurën lidhur me këtë rast, i ka orientuar Policinë e  Kosovës në grumbullimin e informatave vetëm sa i përket veprës penale që sipas ligjit ka qenë e parashkruar.

Praktika gjyqësore dëshmon se në raste të tilla, përveç dëshmive, procesverbaleve, rol vendimtar në zbardhjen e të vërtetës luan ekspertiza e dokumenteve të dyshuara si të manipuluara.  Prokurori këtë obligim ligjor e ka injoruar tërësisht, duke paragjykuar rastin. I njëjti asnjëherë nuk ka kërkuar ekspertizë lidhur me dyshimet për dosjet e manipuluara.

Prokurori Munishi në Aktvendim përmend se kanë paraqitur kërkesa për qasje në dokumentet lidhur me emërimin e prokurorëve dhe gjykatësve në UNMIK dhe OSBE. I njëjti pa pranuar asnjë përgjigje merr Aktvendim për hudhjen e kallëzimit penal. Kjo në praktikën gjyqësore është e paparë ndonjëherë, duke lënë hapësirë për të ngritur dyshime se qëllimi në këtë rast ka qenë mbyllja e shpejtë e rastit dhe jo zbardhja e së vërtetës.

Katër prej dëshmitarët të gjallë të Komisionit Konsultativ Juridik, të cilët kishin vlerësuar kandidatët për gjykatës dhe prokurorë në vitin 1999/2000, deklarojnë në tërësi vërtetësinë e procesverbaleve, sipas të cilave Aleksandër Lumezi nuk ka pasur provim të jurisprudencës. Për më tepër, sipas këtyre procesverbaleve, ish-Kryeadministratori i UNMIK-ut Bernard Kushner, kishte dekretuar 31 kandidatë në kundërshtim me ligjin, përfshi kandidatët pa provim të jurisprudencës. Prokurori Munishi nuk ka marrë mundin të presë përgjigjet e UNMIK-ut dhe OSBE-së për sigurimin e këtyre dosjeve për të zbardhur të vërtetën përtej çdo dyshimi.

Prokurori Munishi rëndësi kyçe iu ka dhënë dëshmive të zyrtarëve serb, të cilët gjatë viteve të nëntëdhjeta ishin caktuar përmes masave të dhunshme të instaluara nga aparati shtetëror jugosllav.

Në vazhdim në kronologji janë paraqitur të gjitha veprimet e kundërligjshme të prokurorit Kujtim Munishi për hetimin e dosjes Lumezi.

Shkeljet procedurale dhe ligjore gjatë trajtimit të rastit nga Prokurori Kujtim Munishi:

  1. Sipas Aktvendimit me nr. PPN-202/17, i datës, 14 nëntor 2017, mbi hudhjen e kallëzimit penal, Prokurori Kujtim Munishi më 25 tetor 2017, ka autorizuar Policinë e Kosovës, për mbledhjen e informatave të nevojshme lidhur me dyshimin së është kryer vepra penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, neni 434, paragrafi 1, vepër penale kjo e parashkruar sipas ligjit.
  2. Prokurorit Munishi i janë nevojitur vetëm 21 ditë për të vendosur lidhur me këtë çështje nga koha e ka autorizuar Policinë për mbledhjen e informatave deri në kohën kur është marrë aktvendimi për hudhjen e kallëzimit penal.
  3. Sipas autorizimit të Prokurorit Munishi, Policia e Kosovës më 25 tetor 2017, në Arkivin e Kosovës, ka sekuestruar dosjen e provimit të jurisprudencës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi. Më 26 tetor 2017, në Ministrinë e Drejtësisë ka sekuestruar edhe librat e dhënies së provimit të jurisprudencës për periudhën kohore 1986-1992.
  4. Sekuestrimi është bërë pa urdhër të gjykatës. Sekuestrimi është kryer në mënyrë të kundërligjshme, duke bërë që provat e mbledhura të jenë të papranueshme në gjykatë.

  

Shkeljet ligjore dhe procedurale:

  1. Sipas aktvendimit mbi hudhjen e kallëzimit penal, Prokurori Munishi, hetimin e ka orientuar vetëm sa i përket dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.[1]
  2. Duke u bazuar në elaborimin më lartë, konsumimi i veprës penale sipas paragrafit 1 të nenit 434 të Kodit Penal të Kosovës, mund të kryhet vetëm nga personat përgjegjës që kanë qenë të autorizuar si persona zyrtarë në Sekretariatin Krahinor të Judikaturës.
  3. Kryerësi apo kryerësit potencialë të kësaj vepre penale sipas Kodit Penal aktual dënohen me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.”
  4. Të gjitha veprimet e Prokurorit Munishi dhe të Policisë së Kosovës, sipas autorizimeve të dhëna nga Prokurori Munishi, janë ndërmarrë në kundërshtim me Kodin Penal të Kosovës, pasi në rastin konkret ka arritur afati i parashkrimit të ndjekjes penale lidhur me hetimet e autorizuara nga Prokurori Kujtim Munishi.[2]
  5. Në bazë të Kodit Penal të Kosovës, në çdo fazë të procedurës penale, gjykata dhe organet e tjera të ndjekjes penale si dhe organet e ekzekutimit të sanksioneve penale, janë të detyruara, sipas detyrës zyrtare, të kujdesen, ta marrin parasysh dhe ta zbatojnë parashkrimin. Së këndejmi parashkrimi shprehet sipas fuqisë së ligjit (ex lege), në të gjitha rastet kur skadojnë afatet e parashkrimit.
  6. Koha që duhet të kalojë për t’u bërë parashkrimi, quhet afati i parashkrimit. Kohëzgjatja e afatit të parashkrimit është i përcaktuar varësisht prej lartësisë së dënimit të paraparë për veprën penale.
  7. Kodi Penal ka përcaktuar parashkrimin e ndjekjes penale, nëse kalojnë dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim; apo pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim.
  8. Nëse dyshimet e ngritura janë se manipulimi i dosjes është kryer në vitin 1991, kanë kaluar mbi 26 vjet nga dyshimet për kryerjen e veprës penale;
  9. Nëse dyshimet e ngritura janë se manipulimi i dosjes është kryer në vitin 1999 apo 2000, kanë kaluar mbi 16 vjet nga dyshimet për kryerjen e veprës penale.
  10. Në secilin variant, Prokurori Munishi ka autorizuar hetime lidhur me një vepër penale e cila tashmë ka qenë e parashkruar.
  11. Sipas nenit 82 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Prokurori i Shtetit, ndër të tjera, me aktvendim e hedh kallëzimin penal të pranuar nga policia apo burime tjera brenda tridhjetë (30) ditëve, nëse nga raporti është e qartë se ka kaluar afati i parashkrimit për ndjekje penale.
  12. Edhe me gjithë obligimin ligjor të përcaktuar me këtë nen të Kodit, Prokurori Munishi dhe Policia e Kosovës, kanë grumbulluar informata, kanë sekuestruar materiale dhe kanë marrë në pyetje dëshmitarë, në kundërshtim me ligj.
  13. Sipas nenit 83 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, Policia detyrohet të veprojë vetëm sipas kërkesave të ligjshme të prokurorit.
  14. Policia e Kosovës ka vepruar sipas autorizimeve të kundërligjshme të Prokurorit Munishi.

 

Hetimet e kufizuara nga Prokurori Munishi:

  1. Në bazë të Aktvendimit të nënshkruar nga vetë Prokurori Kujtim Munishi, i njëjti hetimet i ka kufizuar vetëm sa i përket paragrafit 1 të nenit 434 të Kodit Penal të Kosovës.
  2. Prokurori Munishi nuk ka autorizuar hetime edhe lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale së përcaktuar me paragrafin 2[3] të nenit 434 të Kodit Penal të Kosovës, ku si i dyshuar në publik ka qenë Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
  3. Vepra penale e parashikuar nga paragrafi 2 ekziston kur personi zyrtar a personi përgjegjës në veprimtarinë e tij afariste shfrytëzon dokumentin e rremë zyrtar apo afarist, regjistrin zyrtar ose shkresën zyrtare, si të ishin të vërteta, ose asgjëson, fsheh, dëmton apo bën të papërdorshëm në çfarëdo mënyre tjetër dokumentin zyrtar ose afarist, regjistrin zyrtar ose shkresën zyrtare.
  4. Kjo vërteton se Prokurori Kujtim Munishi asnjëherë nuk ka iniciuar hetime kundër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, respektivisht nuk ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 434, nga Kryeprokurori Lumezi.
  5. Prokurori Munishi, ende pa filluar procedurën lidhur me këtë rast, i ka orientuar Policinë e Kosovës në grumbullimin e informatave vetëm sa i përket veprës penale që sipas ligjit ka qenë e parashkruar.
  6. Prokurori Munishi nuk ka nxjerrë Aktvendim për fillimin e  hetimeve. Tërë procedura e udhëhequr nga prokurori Munishi në këtë rast i takon procedurës parapenale.
  7. Edhe pse Prokurori Munishi, nuk ka marrë vendim për fillim të hetimeve, ai ka marrë në pyetje një numër të dëshmitarëve, ka sekuestruar dosje, dokumente nga Arkivi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë në kundërshtim me ligjin.
  8. Me këto veprime Prokurori Munishi, ka shkelur dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, ka shkelur të drejtat dhe liritë e personave që janë thirrur si dëshmitarë, dhe ka cenuar rëndë sigurinë juridike të tyre.
  9. Sipas nenit 6 të KPP, procedura penale fillohet vetëm me vendim të Prokurorit të Shtetit kur ekziston dyshim i bazuar se është kryer vepër penale.
  10. Sipas nenit 7 të KPP, gjykata, Prokurori i Shtetit dhe Policia të cilët marrin pjesë në procedurën penale, detyrohen që saktësisht dhe tërësisht t’i vërtetojnë faktet, të cilat janë të rëndësishme për marrjen e vendimit të ligjshëm.
  11. Edhe me gjithë faktin se dyshimet e ngritura në publik janë ndërlidhur me dyshimin për falsifikimin e provimit të Kryeprokurorit të Shtetit, prokurori Munishi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim lidhur me zbardhjen e së vërtetës.
  12. Gjatë tërë trajtimit të këtij rasti, Prokurori Munishi, në bazë të aktvendimit për hudhjen e kallëzimit penal, figuron se ai nuk ka pasur asnjë të dyshuar.
  13. Neni 136 i KPP, mundëson ekspertimin. Përmes ekspertimit, do të mundësohej që të bëhej ekspertiza e dokumenteve dhe dosjes së manipuluar të Kryeprokurorit të Shtetit.
  14. Për këtë qëllim do të duhej të caktohej eksperti i fushës kompetente me përvojë ose me trajnim të specializuar që është relevant dhe aktual.
  15. Eksperti do duhej t’i ketë analizuar provat e siguruara (dosjet).
  16. Gjatë ekspertizës, eksperti duhet të ketë përdorur praktika përgjithësisht të pranuara në fushën e tij ose të ketë bazë shkencore apo teknike.
  17. Eksperti do të duhej të hartonte raport, në të cilin përmblidhen metodat e përdorura të analizës dhe përfundimet.
  18. Asnjë nga këto mundësi që i përcakton KPP, prokurori Munishi nuk i ka shfrytëzuar.
  19. Asnjë nga dokumentet e sekuestruara nga Prokurori Munishi, pa urdhër të gjykatës, nuk kanë qenë pjesë e ekspertizës.
  20. Rasti që është trajtuar nga Prokurori Munishi i takon viteve të largëta, 1990,1991 deri në vitin 2000.
  21. Praktika gjyqësore dëshmon se në raste të tilla, përveç dëshmive, procesverbaleve, rol vendimtar në zbardhjen e së vërtetës luan ekspertiza e dokumenteve të dyshuara si të manipuluara.
  22. Prokurori këtë obligim ligjor e ka injoruar tërësisht, duke paragjykuar rastin.
  23. Prokurori Munishi rëndësi kyç iu ka dhënë dëshmive të zyrtarëve serbë, të cilët gjatë viteve të nëntëdhjeta ishin instaluar nëpërmjet masave të dhunshme të aparatit shtetëror serb, përkatësisht jugosllav.
  24. Deklarata e noterizuar e Gjorgje Aksiqit nuk ka dëshmuar asgjë më shumë sesa nënshkrimin e tij mbi një dokument, i cili i është prezantuar atij në Beograd të Serbisë. Ai nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për origjinalitetin e dokumentit, por vetëm e ka vërtetuar se nënshkrimi mbi dokumentin e prezantuar i takon atij.

Sekuestrimi i dosjeve në kundërshtim me ligj:

  1. Në aktvendimin për hudhjen e kallëzimit penal, Prokurori Munishi ka autorizuar Policinë e Kosovës për sekuestrimin e dosjeve origjinale që kanë të bëjnë me dosjet e provimit të jurisprudencës në Arkivin e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë.
  2. Në aktvendim, askund nuk përmendet se dosjet e sekuestruara janë marrë në pajtim me nenin 112 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
  3. Ky nen përcakton se sendet që përkohësisht mund të sekuestrohen janë sende që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, sende ose pasuri që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose sende që konsiderohen dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale dhe për të cilat ligji parasheh sekuestrimin.[4]
  4. Dosjet e sekuestruara janë marrë pa vendim të gjykatës.
  5. Dosjet e sekuestruara janë mbajtur më shume se pesë ditë, pa vendim të gjykatës.
  6. Sipas Kodit, sendet, pasuria, provat apo paratë mund t’i nënshtrohen kufizimit të përkohshëm sipas urdhrit të prokurorit të shtetit që zgjat jo më shumë se pesë ditë nëse zyrtarët e autorizuar të policisë mësojnë për sendin, pasurinë, provat apo paratë e tilla gjatë kontrollit apo arrestit të ligjshëm.
  7. Sipas Kodit, prokurori i shtetit kërkon urdhër të gjykatës nga gjyqtari i procedurës paraprake.[5] Kjo nuk figuron në aktvendim se ka ndodhur, pra nuk ka pasur asnjëherë vendim të gjykatës.
  8. Prokurori i shtetit mund të kërkojë nga gjyqtari i procedurës paraprake që të lëshojë urdhër për sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, pasurisë, provave apo parave.
  9. Kërkesa e tillë duhet të cekë me saktësi sendet, pasurinë, provat apo paratë dhe duhet të përshkruajë si mund të jenë këto sende prova të veprës penale, si këto sende, pasuri apo para mund të mundësojnë kryerjen e veprës penale, ose si këto sende, pasuri apo para përbëjnë dobi pasurore të fituar me vepër penale.
  10. Provat e marra me shkelje të dispozitave të procedurës penale janë të papranueshme kur Kodi ose dispozita të tjera të ligjit shprehimisht parashikojnë kështu.
  11. Gjykata nuk mund ta mbështesë vendimin e saj në prova të papranueshme.

[1]Sipas paragrafit 1 të këtij neni, vepra penale ekziston kur personi zyrtar, në dokumentin zyrtar a afarist, në regjistër apo shkresë shënon të dhëna të rreme ose nuk i shënon të dhënat e rëndësishme, ose me vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar afarist, regjistrin zyrtar ose shkresën që përmban të dhëna të rreme, ose mundëson përpilimin e dokumentit, regjistrit po shkresës së tillë me përmbajtje të rreme.

[2]Parashkrimi i ndjekjes penale konsiston në atë se për shkak të kalimit të afatit i cili është paraparë me ligj nuk mund të ndërmerret ndjekja penale dhe personit nuk mund t’i shqiptohet dënimi për vepër penale që e ka kryer. Nëse ndjekja penale është në vazhdim e sipër dhe nëse në ndërkohë ka ardhur gjer te parashkrimi, ndjekja penale nuk mund të vazhdohet.

[3]Paragrafi 2 i nenit 434 të Kodit Penal të Kosovës përcakton se “Personi zyrtar i cili shfrytëzon dokumentin zyrtar, regjistrin ose shkresën zyrtare të rreme si të vërtetë në veprimtarinë e tij afariste ose i cili asgjëson, fsheh, dëmton apo në ndonjë mënyrë tjetër e 156 bën të papërdorshëm dokumentin zyrtar, regjistrin ose shkresën zyrtare, dënohet me dënimin nga paragrafi 1. i këtij neni.”

[4]Shënim:  Interpretim i kësaj dispozitë sipas Komentarit të Procedurës Penale të Kosovës:  Sipas dispozitës së paragrafit 1, mund të sekuestrohen përkohësisht tri lloje sendesh: a) sendet që mund të jenë prova gjatë një procedure penale, b) sendet ose pasuria që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale, ose c) sendet që konsiderohen si dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale. Sendet të cilat mund të jenë provë në procedurë penale, janë prova materiale që kanë regjim të posaçëm, nëse njëkohësisht nuk janë sende të cilat duhet të merren sipas Kodit penal. Sendet e tilla nuk është e thënë se duhet të shërbejnë drejtpërdrejt për qëllim argumentimi. Mund të merren, p.sh., shkresat për t’i mundësuar ekspertit krahasimin e dorëshkrimit ose të nënshkrimit dhe dhënien e mendimit për autenticitetin e tekstit të inkriminuar.

[5]Sekuestrimi i përkohshëm i sendeve, pasurisë, provave apo parasë bëhet me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake. Mirëpo, për gjësendet që janë objekt i kufizimit të përkohshëm, për të cilat zyrtarët e autorizuar të policisë mësojnë me rastin e kontrollit ose arrestit të ligjshëm, kufizim të përkohshëm mund të bëjë prokurori i shtetit për një kohë jo më shumë se pesë ditë. Krahas kësaj, Prokurori i shtetit kërkon urdhër për sekuestrim të përkohshëm të tyre nga gjyqtari i procedurës paraprake. Kërkesa e prokurorit duhet të përmbajë me saktësi sendet, pasurinë, provat apo paratë, të cilat mendon se duhet të sekuestrohen përkohësisht, dhe duhet të përshkruajë si gjësendet e tilla mund të jenë prova të veprës penale, si mundësojnë ato kryerjen e veprës penale, ose si përbëjnë dobi pasurore të fituar me vepër penale.