“’Deti’ i korrupsionit në Kosovë: “Peshqit” e vegjël kapen, të mëdhenjtë lihen të lirë”

Kover Luftimi i Korrupsionit SHQIP

Tuesday 28 March, 2017

Shkarko dokumentin:  Shqip   |  English

Përkundër politikave të miratuara dhe shprehjes së vullnetit deklarativ nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial në luftimin e korrupsionit, rezultatet konkrete në luftimin e tij, veçanërisht të korrupsionit të profilit të lartë ende mungojnë.

Viti 2016 ka vazhduar me spektakle, luftë komunikatash dhe statistikash kundër korrupsionit. Prokurori i Shtetit gjatë këtij viti, mbi 60% të rasteve të korrupsionit i ka hudhur kallëzimet penale apo i ka pushuar hetimet.

IKD gjatë vitit të kaluar ka monitoruar 1505 seanca gjyqësore në 383 raste të korrupsionit ku kanë qenë përfshirë 989 persona të pandehur, në të gjitha Gjykatat Themelore në Kosovë.

Të gjeturat e IKD-së përputhen me konstatimet e dala nga Raporti i Progresit për vitin 2016, se ka rritje të numrit të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë që hetohen dhe ndiqen penalisht, por që mungojnë rezultatet përfundimtare. Edhe Departamenti i Shtetit Amerikan në Raportin për Kosovën ka konstatuar se korrupsioni endemik qeveritar është i ndërlidhur me mungesën e dënimeve në rastet e korrupsionit.

Numri më i madh i aktakuzave lidhen me vepra penale të korrupsionit të nivelit të ultë, në ato raste kur i takojnë nivelit të lartë, mungojnë aktgjykimet dënuese. Në mbi 60 % të rasteve të korrupsionit, aktakuzat dështojnë në gjykata, duke mos u provuar dhe mbrojtur nga prokurorët.

Analiza statistikore tregon se në krahasim me fillim, në fund të vitit 2016 prokuroritë e kanë ulur numrin e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit. Më 1 janar 2016 prokuroritë kanë pasur 538 raste të pazgjidhura të korrupsionit me 1640 persona. Gjatë vitit 2016 janë pranuar 409 raste me 748 persona, ndërsa janë zgjidhur 409 raste me 1037 persona. Më 31 dhjetor 2016 kanë mbetur 462 raste të pazgjidhura me 1227 persona. Shqetësuese mbetet fakti se 62.87% të rasteve të zgjidhura janë mbyllur.

Përpjekjet për luftën kundër korrupsionit përmes aktakuzave, më tepër po dëshmohen si arsyetim para publikut dhe faktorit ndërkombëtar se korrupsioni në Kosovë po luftohet. Hulumtimi i IKD-së ka gjetur se në shumë raste të profilit të lartë, prokuroria ka ngritur aktakuza të cilat janë hudhur apo refuzuar nga gjykata në raste të caktuara qysh në seancën e shqyrtimit të parë apo edhe në faza të mëvonshme të procedurës gjyqësore, si rastet kundër Enver Hasanit, Lutfi Hazirit, Agim Bahtirit, Shpresa Bakisë, etj.

Në rastet kur nuk ka luftim të korrupsionit, atëherë ka promovim.  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorëve të identifikuar si shkelës të ligjit ka vazhduar t’iu ndajë mirënjohje për merita në promovimin e sistemit prokurorial.

Kërkesat për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së fituar me vepra penale të korrupsionit pothuajse nuk ka fare në praktikë, edhe atëherë kur konstatohet se përmes veprimeve korruptive janë shkaktuar dëme me dhjetëra miliona euro. Kjo qasje vërehet njëjtë si te prokurorët vendor dhe ata të EULEX-it.

Të gjeturat e IKD-së janë alarmante sa i përket shkeljes se afateve dhe procedurave ligjore në trajtimin e rasteve të korrupsionit në prokurori dhe gjykata. Shkelja e afateve ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale lidhur me trajtimin e rasteve  penale në fazën e hetimeve, ndjekjes penale dhe shqyrtimit gjyqësor, vërehen pothuajse në çdo rast të korrupsionit, pa dallim si nga prokurorët dhe gjykatësit vendorë ashtu edhe të EULEX-it. Gjetjet e monitorimit të IKD-së tregojnë se nga 383 rastet e monitoruara vetëm në tri  raste kur është ngritur aktakuza për vepra penale të korrupsionit, gjykatësit kanë respektuar afatet e procedurës penale. Kjo përbën një shqetësim serioz për të drejtat e të pandehurve në procedurë penale dhe rrjedhimisht kjo ndikon drejtpërdrejtë në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

Edhe katër vite pas hyrjes në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, prokurorët dhe gjykatësit vendorë dhe ndërkombëtarë nuk po adoptohen me rolin dhe përgjegjësitë e reja sipas ndryshimeve të inkorporuara në Kode. Gjykata të caktuara, tanimë e kanë shndërruar në praktikë tejkalimin e shqyrtimit të dytë, duke kaluar prej shqyrtimit fillestar drejt në shqyrtim kryesor. Afatet ligjore, lidhur me caktimin e shqyrtimit fillestar në afat prej tridhjetë ditëve nga dita kur është ngritur aktakuza zbatohen shumë rrallë. Praktika e shkeljes së afatit ligjor për caktimin e shqyrtimit fillestar, është evidente pothuajse në shumicën e rasteve që trajtohen nga gjykatësit e EULEX-it.

Rasti Ukë Rugova, Astrit Haraçija dhe të tjerët është ende në fazën e shqyrtimit fillestar, edhe 10 muaj pas ngritjes së aktakuzës. Në rastin kundër Naser Osmanit, deputet në Kuvendin e Kosovës, aktakuza është ngritur më 16 shkurt 2016, ndërsa ky rast ende nuk e ka kaluar as shqyrtimin e dytë edhe një vit pas ngritjes së aktakuzës.

Gjykatat në fillim të vitit 2016 kanë pasur 407 lëndë të pazgjidhura të korrupsionit me 956 persona të përfshirë. Gjatë këtij viti gjykatësit kanë pranuar në punë 232 lëndë të reja me 502 persona, që rezulton se gjykatata gjatë vitit 2016 kanë pasur në punë 639 lëndë të korrupsionit me 1458 persona. Gjatë vitit 2016 gjykatat kanë zgjidhur 284 lëndë 594 persona, ndërsa më 31 dhjetor 2016 kanë mbetur 355 raste të pazgjidhura të korrupsionit me 864 persona. Gjetjet e monitorimit dëshmojnë se politika e dënimeve në rastet e korrupsionit është e ulët dhe nuk po e arrin qëllimin e dënimit.

Mekanizmat e themeluar nga dy këshillat për të monitoruar zbatimin e planeve nuk i kanë marr seriozisht këto plane dhe obligimet e tyre. Këta mekanizma nuk i kanë përmbushur obligimet për të raportuar para Këshillave në baza periodike. Vlen të theksohet raporti i Komisionit Mbikëqyrës për monitorimin e rasteve të korrupsionit të miratuar në KPK, i cili është publik.

KGJK dhe KPK në vazhdimësi proklamojnë ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies në raport me publikun dhe mediat. Të dy Këshillat gjatë vitit 2016, kanë dëshmuar se transparenca dhe llogaridhënia mbetet politikë e proklamuar vetëm në letër. Përderisa, gjykatat kanë shënuar progres në këtë drejtim, prokuroritë janë mbyllur si asnjëherë më parë. Në gjysmën e dytë të vitit 2016, Prokuroritë Themelore dhe PSRK nuk i kanë ofruar aktet prokuroriale (vendimet për hudhje të kallëzimit penal dhe vendimet për pushimin e hetimeve) për t’i monitoruar ekspertët juridikë të IKD-së. Kjo dëshmon mungesën e vullnetit për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien e prokurorëve. IKD prej vitit 2013 ka siguruar aktet prokuroriale në përputhje me ligjin. Si rezultat i gjetjeve të IKD-së, Zyra e Prokurorit Disiplinor ka trajtuar mbi 400 raste të hetimeve preliminare për shkelje të ligjit nga prokurorët.

Nga 195 kërkesat për qasje në dokumente publike, sistemit gjyqësor i janë drejtuar 84 kërkesa, prej të cilave IKD ka pranuar 48 përgjigje pozitive, në 36 kërkesa nuk ka përgjigje. Në kuadër të sistemit gjyqësor, vlen të përmendet gatishmëria dhe efikasiteti i Gjykatave Themelore, sidomos GjTh në Prishtinë në trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike në pajtim me afatet dhe obligimet ligjore.

Nga 195 kërkesa për qasje në dokumente publike, sistemit prokurorial i janë adresuar 111 kërkesa, prej të cilave sistemi prokurorial iu është përgjigjur pozitivisht 46 kërkesave, në 63 kërkesa nuk kanë kthyer përgjigje, kurse në 2 kërkesa kanë refuzuar të japin të dhënat e kërkuara.

Shkarkimin e raportit shqip dhe anglisht mund ta bëni te rubrika PUBLIKIME www.kli-ks.org/publikime