​IKD: Nuk ka vullnet për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë

Thursday 25 June, 2015

IMG_6852

Prishtinë, 25 qershor 2015 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Prishtinë, të enjten, ka mbajtur tryezën “Vlerësimi i zbatimit të Planit të Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial për Luftimin e Korrupsionit”, e cila ka shërbyer për të diskutuar zbatimin e këtij Plani të Veprimit, prej hyrjes në fuqi më 4 nëntor 2013 deri më 31 mars 2015.

Në fjalën hyrës, Ambasadori e Britanisë së Madhe, z. Ruairi O’Connell, tha se të gjithë janë dëshmitarë se Kosova vazhdon të ballafaqohet me probleme dhe sfida serioze në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se luftimi i korrupsionit vazhdon të mbetet prioritet i shpallur nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. “Por, ne po e shohim një rezultat, i cili flet se sistemi i drejtësisë nuk ka shënuar rezultate të pritura kundër korrupsionit. Këtë po e mbështes, së pari, në faktin se vetëm gjysma e lëndëve të Planit të Veprimit kanë arritur të zgjidhen, siç shihet edhe ne raportin e Institutit të Kosovë për Drejtësi. Pra, kanë mbetur edhe po aq lëndë për t’u zgjidhur. Dhe, së dyti, kemi mungesë të rezultateve të luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë”, tha O’Connell. Ai theksoj se gjykatësit dhe prokurorët janë mbrojtësit në vijën e parë të parimit të ndarjes së pushteteve në Kosovë. “Ju garantoni ndërtimin e një sistemi të drejtësisë të pavarur dhe të paanshëm, i cili  është element kyç dhe mesazh i qartë për investitorët vendorë dhe të huaj, se Republika e Kosovës është një ambient i qetë dhe i sigurt për të investuar…  Ju, si bartës të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, duhet të jeni heronjtë e rinj të Republikës së Kosovës”. Ambasadori O’Connell tutje tha se luftimi i korrupsionit duhet të udhëhiqet prej brenda institucioneve dhe shembulli do të duhej të jepej së pari prej aty. “A është e tolerueshme që të shohim skandale të një pas njëshme të përfshirjes në afera të dyshimta korruptive pikërisht të zyrtarëve që janë zbatues të ligjit dhe të njëjtën kohë të mos shohim ndëshkimin e tyre? Kjo duhet të ndryshojë nga heronjtë e ri të Kosovës, të cilët duhet t’i thonë stop praktikave të deritashme”. O’Connell tha se e ardhmja e qytetarëve dhe Kosovës varet nga niveli i respektimit të sundimit të ligjit, varet drejtpërdrejt nga luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, Ambasadori O’Connell tha se do të vazhdojë të mbështesë IKD-në për të realizuar monitorimin e luftës kundër korrupsionit nga sistemi prokurorial, sistemi gjyqësor, institucionet tjera dhe agjencitë që e zbatojnë ligjin.

Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, z.Betim Musliu, ka prezantuar raportin “Korrupsioni në Kosovë 5: Raport vlerësues periodik mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”, me gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet për zbatimin e Planit të Veprimit. Gjatë prezantimit të raportit, Musliu tha se prokuroritë deri në këtë periudhë raportuese kanë arritur të zgjidhin gjysmën e lëndëve të korrupsionit në punë.“Gjetjet e IKD-së tregojnë se sistemi prokurorial assesi nuk ka arritur të ulë ndjeshëm numrin e rasteve të pazgjidhura të korrupsionit. Me hyrjen në fuqi të Planit të Veprimit (4 nëntor 2013), prokuroritë kanë pasur në punë 516 raste të pazgjidhura me 1,682 persona, ndërsa më 31 mars 2015 kanë mbetur 556 raste të pazgjidhura me 1,652 persona. Pothuajse e kemi gjendjen e njëjtë sikurse në fillim kur ka filluar Plani i Veprimit”, tha Musliu. Ai më tej vlerësoj senë përgjithësi kjo është një performancë e dobët e prokurorëve në zgjidhjen e rasteve të korrupsionit, sepse as gjysma e tyre nuk kanë arritur të zgjidhen. “Nëse analizohet numri i rasteve në fillim dhe ato që janë pranuar gjatë Planit të Veprimit deri më 31 mars 2015, rezulton se prokuroritë kanë pasur në punë 1,154 raste me 2,961 persona. Prej këtij numri të përgjithshëm prokuroritë kanë arritur të zgjidhin 628 raste apo 54 % të tyre me 1,420 persona apo 47% të tyre. Pra, as gjysma e rasteve nuk janë zgjidhur. Prej këtyre 1,420 personave ndaj të cilëve janë zgjidhur rastet në përgjithësi, prokurorët ndaj 666 personave kanë ngritur aktakuza, ndërsa ndaj 345 personave kanë hudhur poshtë kallëzimet penale dhe ndaj 409 personave kanë pushuar hetimet. Pra më shumë se gjysma janë hudhur poshtë dhe janë pushuar hetimet”.

Përfaqësuesi i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Shqipdon Fazliu, tha se raporti i prezantuar nga IKD, pjesërisht qëndron ngase problemet janë evidente dhe se as vet Prokurori i Shtetit nuk janë të kënaqur me rezultatet e deritanishme. “Sfidën e korrupsionit duhet parë në nivel global se ka edhe shume vende të tjera të zhvilluara që ballafaqohen me këtë sfidë. Natyrisht që ky fakt nuk është ngushëllim për neve… Tashmë ne kemi një strategji në reduktimin e numrit të lëndëve të korrupsionit. Çështja më e rëndësishme është numri i madh i rasteve në pritje. Kjo strategji synon të fus metoda të reja në zgjidhjen e rasteve. Tani do të pyesim çdo kryeprokuror se sa raste ka zgjidhur dhe sa mjete ka konfiskuar”, tha Fazliu.

Koordinatorja Nacionale kundër Korrupsionit, znj. Laura Pula, tha se raporti i IKD-së është rezultat i monitorimit të pavarur të jashtëm, të cilin IKD e ka bërë vazhdimisht në mënyrë korrekte. “Shprehi mirënjohjen për IKD-në për përmbushjen korrekte të misionit të tij dhe për monitorimin zbatimit të planit të veprimit. Zbatimi i këtij plani mbetet obligim për neve në përmbushjen e objektivave. Zbatimi i ligjit do të bëhet pa pardon dhe në mënyrë të drejtë”.

Gjykatësi i Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Avdi Dinaj, tha se në Kosovë ka përpjekje nga të gjitha segmentet për zero tolerancë për korrupsion, por rezultatet janë të varfëra. “Organet e ndjekjes duhet ta bëjnë punën e tyre, t’i ndjekin, t’i zbulojnë, t’i adresojnë dhe t’i dëshmojnë me prova këto dukuri kriminale nëpër gjykata. Nëse i krahasojmë këto dukuri tek ne në Kosovë me ato në rajon, ne nuk jemi askund”.

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, z. Zef Prendrecaj, tha se në mbështetje të pesë (5) raporteve të publikuara nga IKD për rastet e korrupsionit, ZPD ka siguruar më shumë se 109 dosje prokuroriale në shumicën e prokurorive të Kosovës dhe se gjetjet e zyrës që ai udhëheq tregojnë se përveç fjalëve të shumta punë ka pak. “Në konsiderojmë se ndoshta është koha vendimtare që Prokurori i Shtetit, prokurorët individualisht, por edhe qytetarët, institucionet dhe te gjithë akterët tjerë, të ndërmarrim veprime, t’i adresojmë çështjet, në mënyrë që ta përmirësojmë perceptimin për sistemin prokurorial, për sistemin  e drejtësisë në Kosovë”.

Pas prezantimit të raportit, debati në tryezë është hapur për të gjithë pjesëmarrësit dhe tryeza është përshkuar me diskutime të nxehta rreth ngritjes së çështjeve për mungesën e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit. Zv/Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jonathan Ratel, ka falënderuar Ambasadën Britanike për mbështetjen e vazhdueshme për siç tha ai punën e mirë që po bën IKD. “Ky raport tregon se ka vonesa në zgjidhjen e  lëndëve, dhe ka shumë punë që nuk janë adresuar fare, dhe ky është një problem i madh. Por le të bëhemi pozitiv me aq sa mundemi. Kur kam ardhur në Kosovë ka pasur një kulturë të frikës nga prokurorët dhe gjyqtarët për me u marrë me rastet e korrupsionit të niveleve të larta, dhe me këto dyshime se ata janë të korruptuar vetë. Me duhet të them se kam një respekt të madh për prokurorët dhe gjyqtarët vendor, dhe mendoj se punojnë shumë dhe dëshirojnë që ta bëjnë një punë të mirë”. Ratel tha se në Kosovë ka pasur mungesë të fokusimit strategjik në nivelin e lartë të korrupsionit, dhe fokusimi ka qenë te korrupsioni i nivelit të ultë.

Fjalimet për vlerësimin e raportit dhe zbatimin e Planit të Veprimit kanë vazhduar me Kryetarin e Gjykatës së Apelit në Prishtinë, z. Sali Mekaj, Kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Hamdi Ibrahimi, Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Hasan Preteni, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Gjakovë znj.Shpresa Bakija, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Sylë Hoxha, përfaqësuesit e sistemit prokurorial, Shoqërisë Civile dhe të tjerë.

Pjesëmarrës në tryezë dhe diskutime poashtu ishin edhe përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Shoqërisë Civile, Ambasadës Amerikane në Kosovë, EULEX-it, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe OSBE-së.